VV-ja lëshon sallën pas përplasjeve me LDK-në

VV-ja lëshon sallën pas përplasjeve me LDK-në

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se grupi i saj ka vendosur që të lëshojë sallën e Kuvendit në seancën e thirrur nga opozita për kontratat njëburimore.

Kusari-Lila u shpreh se seanca ka humbur kuptimin dhe arsyen për shkak të fyerjeve dhe ofendimeve.

“Edhe sikur kjo seancë të kishte ndonjë kuptim tashmë e humbi krejt për arsye se prej fillimit e kanë vendosur debatin në fyerje e ofendime. Deputetja që e thirri seancën na fyeu, na quajti hajna, shpifësa. Nëse nuk duan të diskutojnë me argumente në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes e lëshojmë këtë seancë”, ka deklaruar kusari Lila.

​Akuzat për kontrata njëburimore, LVV i konsideron false

Lëvizja Vetëvendosje po i konsideron false akuzat e opozitës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të qeverisë Kurti.Deputetja e mazhorancës, Arta Bajralia, tha se ka dhjetë muaj që raporti i auditimit për kontratat njëburimore është publik, derisa opozita ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për këtë sot, në vend se të ketë seancë të rregullt dhe të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ka dhjetë muaj që raporti është publik dhe nuk është thënë asnjë fjalë në lidhje me të dhe tani po e trajtojmë me një seancë të jashtëzakonshme, një raport që do të vinte gjithsesi në seancë të rregullt. Se kuptoj se ku është relevanca e kësaj seance dhe opozitë bërjes tuaj. Në vend që të kemi seancë të rregullt ku i trajtojmë dhe votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, ku po presin 1 vit pa u votuar, ligjet dhe çështjet të tjera, por ju e keni te kauzat false të cilat po mundoheni t’i ndërtoni dhe të fatmirësisht nuk po iu funksionojnë”,tha ajo, në seancën e jashtëzakonshme në lidhje me kontratat njëburimore të ekzekutivit.

Sipas saj, nënshkrimi i kontratave njëburimore kanë qenë ndër vite, derisa më së shumti siç tha ajo ka pasur në vitin 2015, kur kryeministër ishte Isa Mustafa.

Tahiri: Ka material të mjaftueshëm për prokurori lidhur me tenderët njëburimor

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Abelard Tahiri, ka deklaruar se nga hetimet që kanë bërë në shtatë institucione të vendit për dy vjet janë 220 kontrata që kapin vlerën e mbi 153 milion euro, për çfarë tha se ekzistojnë arsye të mjaftueshme që Kuvendi i Kosovës të themelojë një komision hetimor për kontratat një burimore të nënshkruara gjatë qeverisjes Kurti.

Ai poashtu ka thënë se KEK-u prin me nënshkrimin e këtyre kontratave.

“Ato që kanë qenë problematike gjatë kohës së qeverisjes Kurti janë dy lloj kontrata që janë burim i korrupsionit. Kur flasim për kontratat sekret, ne nuk dimë asgjë se çfarë ka ndodh, këtu përfshihen edhe çështja e rezervave shtetërore, blerja e armeve, e çështjeve tjera padyshim të rëndësishme, por për këto procedura nuk dimë asgjë, as vlerën e as llojin e produkteve që janë blerë. Këtu përfshihen edhe vaksinat gjatë vitit 2021, kundër COVID-19. Si GP në hulumtimi, që kemi bërë në shtatë institucione del se vlera totale për vitin 2022 dhe 2023 në këto institucione, del 153 milion e 889 mijë euro, pra janë 220 kontrata. Institucionet të cilat kanë nënshkruar këto kontrata prin KEK-u, me mbi 101 milion, pra ka nënshkruar 87 kontrata, apo më mirë me thënë nga Korporata kriminale energjetike e Kosovës… Ministria e Kulturës është më e çuditshmja, nuk e di ka kanë dalë këto 36 kontrata njëburimore në vlerë prej 2.4 milion euro, çka është dashtë të bëhet… Poashtu MPB i ka mbi 21 milion, pra 20 kontrata për dy vite”, ka theksuar Tahiri.

Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për tenderët njëburimor, Tahiri ka thënë se me aq sa kanë parë gjatë hulumtimit ka material të mjaftueshëm për prokurori.

“Në total për dy vjet kapin shumë mbi 153 milionë apo 220 kontrata. I përmenda vetëm shtatë institucione dhe kjo është më se e qartë që kemi një arsyeshmëri të mjaftueshme që ta nisim një komision hetimor për ta bërë një hetim për këto kontrata… Me aq sa kemi parë në hulumtimin tonë ka material të mjaftueshëm për prokurori. Hetimi parlamentar do t’i procedojë në prokurori të gjitha ato kontrata që shohim që ka arsyeshmëri të mjaftueshme, që ka elemente penale”, shtoi Tahiri.

Bajrami: Qeveria po abuzon me kontrata njëburimore, mbi 240 milionë euro është dëmtuar buxheti

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se gjatë Qeverisë Kurti 2, janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro, raporton Express.

Për këto të dhëna ajo i është referuar Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik. Sipas Bajramit, këto kontrata janë burim i korrupsionit.

Ajo ka shpjeguar edhe se si realizohen këto kontrata.

PDK-ja propozon komision hetimor për tenderët njëburimorë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Abelard Tahiri, ka thënë se ekzistojnë arsye të mjaftueshëm që Kuvendi i Kosovës të themelojë një komision hetimor për kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë Qeverisë Kurti.

“Ato që kanë qenë problematike gjatë Qeverisë Kurti janë dy lloj kontratash që janë burim korrupsioni. Kur flasim për kontratat sekret ne nuk dimë çka ka ndodhur, nuk e dimë as vlerën e tyre as llojin e produkteve këtu përfshihen edhe vaksinat anti-covid. Nëse i shohim kontratat një burimore nga një hulumtim i Partisë Demokratike që është bërë në 7 institucione del që vlera totale për 2022 e 2023 është 153 milionë. Në total për dy vjet kapin shumë 153 milionë 220 kontrata. I përmenda vetëm 7 institucione dhe kjo është më se e qartë që kemi një arsyeshmëri të mjaftueshme që ta nisim një komision hetimor për ta bërë një hetim për këto kontrata”, ka theksuar Tahiri në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për tenderët njëburimorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *