Shërbimet e Kuvendit njoftojnë: Kryeministrit i pushon funksioni, do t’i kryej vetëm detyrat e domosdoshme

Në seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur më 28 maj 2024, sipas dispozitave në fuqi u verifikuan mandatet e deputetëve të sapo-zgjedhur. Me këtë rast, Kuvendi konkludoi se “kryetarit të Qeverisë dhe një pjese të caktuar të anëtarëve të Qeverisë, me verifikimin e mandatit të deputetit, në pajtim me nenin 8, paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor, u pushojnë funksionet e tyre në Qeveri. Por, për të siguruar vazhdimësi në punën e Qeverisë, Qeveria do t’i kryejë vetëm funksionet e domosdoshme deri në zgjedhjen e qeverisë së re, njoftoi dje pasdite Kabineti i kryetarit të Kuvendit.
“Pra, kur nuk bëhet fjalë për dorëheqje të kryeministrit, gjegjësisht të Qeverisë, kur votohet mosbesimi i Qeverisë ose kur shpërndahet Parlamenti, në Kushtetutë, në Ligjin për deputetë, në Ligjin për Kuvend dhe në Kodin Zgjedhor nuk ka asnjë dispozitë që e rregullon çështjen e funksionimit dhe përfundimit të mandatit të Qeverisë në periudhën pas konstituimit të Kuvendit deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Në rastin konkret, duhet pasur parasysh se në nenet 43, 44 dhe 46 të Ligjit për Qeverinë është rregulluar çështja e ndërprerjes së mandatit të ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, si edhe përfundimi i funksioneve të ministrave plotësues, ndërsa për kryetarin e Qeverisë dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë nuk ka vendim e as procedurë për përfundimin e funksionit”, thuhet në kumtesë.
Në këtë mënyrë, siç është bërë e ditur në kumtesë, edhe më 28 maj 2024 përfaqësuesit e partive politike në Kuvend, para seancës konstituive dhe, madje, në vetë seancën konstituive qëndruan konsekuentë në këtë, gjegjësisht mbeti qëndrimi i Kuvendit si në periudhat e mëhershme, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e punës së Qeverisë, që Qeveria t’i kryejë vetëm funksionet e domosdoshme deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *