Shaqiri: Rezultatet paraprake do të jenë më së voni më 8 korrik

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ka vizituar sot shkollën e mesme “Niko Nestor” në Strugë, ku ka filluar pjesa e parë e provimit të maturës për vitin akademik 2023/24. Vizita vjen në kuadër të mbikëqyrjes së zhvillimit të provimeve të maturës shtetërore, të cilat janë pjesë kyçe e përfundimit të arsimit të mesëm dhe një kriter për vazhdimin e studimeve të larta.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Shaqiri uroi nxënësit për përfundimin e suksesshëm të arsimit të tyre dhe u shpreh se procesi i provimeve është organizuar me përkujdesje të madhe. Ai theksoi se provimi përmban dy lëndë të jashtme, dy të brendshme dhe një detyrë projekti, ku gjuha amtare mbetet e detyrueshme për të gjithë. Provimet do të vazhdojnë deri më 8 qershor, dhe rezultatet paraprake pritet të jenë në dispozicion më 8 korrik.
“Synimi është të sigurohet transparencë dhe objektivitet më i madh i procesit. Ata që janë të përfshirë si vëzhgues dhe testues në provimin e maturës shtetërore, në këtë mënyrë e kanë më të lehtë kontrollin dhe pasqyrimin e sjelljes së nxënësve gjatë provimit dhe praktikisht presim që të eliminohen tentativat për të manipuluar dhe keqpërdorur metoda apo ndihma të caktuara gjatë plotësimit të provimit teste”, tha ai.
Përgjegjësit për rrjedhën e provimeve përfshijnë rreth dy mijë mësues dhe 250 vëzhgues, të cilët do të sigurojnë që procesi të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa incidente.
“Edhe një herë ju uroj lumturi dhe suksese të gjithë nxënësve në diplomim, por edhe suksese në realizimin e mëtejshëm të synimeve arsimore dhe jetësore që kanë vendosur dhe sigurisht që të jetë brenda kufijve të vendit tonë, sepse këtu i përkasin dhe janë e ardhmja nga e cila të gjithë kemi pritshmëri të mëdha”, ka thënë ministri Shaqiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *