RMV, mbetet “sekret” hetimi ndaj FFM-së për ndeshjet e trukuara

Një muaj pas sekuestrimit të dokumenteve të Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut (FFM), Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka epilog nga hetimi për trukimin e ndeshjeve. As nga organizatat ndërkombëtare UEFA dhe “Sportradar” nuk japin detaje. Futbolldashësit presin përgjigje, a ka rrezik kampionati? Sindikata kërkon t’u jepet fund dyshimeve. Hetimi është rrezik edhe për ligën vendase, ngase zyrtarë të lartë nga federata janë të përfshirë në këtë çështje .

Cilat janë ndeshjet e trukuara të futbollit që janë duke u hetuar nga MPB-ja dhe pas një muaji nga hetimi ndaj Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), ende nuk bëhet e ditur.

Më 29 mars 2024 është sekuestruar dokumentacioni që do të ndihmojë në hetimin e MPB-së, por nga FFM-ja nuk iu përgjigjen pyetjeve të REL-it. Më pas përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se janë duke bashkëpunuar me organet hetimore.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar informata nga Federata e Futbollit të Maqedonisë që para së gjithash ka të bëjë me aktet me të cilat rregullohen garat, procesverbalet nga ndeshjet zyrtare në kuadër të garave të organizuara nga FFM-ja, pastaj një orar nga kalendari i garave në kampionatet vendore. ”, shkroi FFM-ja në atë kohë në njoftim.

Sipas informacioneve jozyrtare që ka marrë REL nga Federata, hetimi po zhvillohet një kohë të gjatë. Filloi pasi “Sportradar”, e cila është kompani që bashkëpunon me UEFA-n për njohjen e ndeshjeve të dyshimta, ka vërejtur ngjarje të pazakonta në klubet maqedonase dhe ka njoftuar partnerët e saj UEFA dhe Interpol, të cilët kanë kërkuar bashkëpunim me autoritetet maqedonase.

“Duhet të dini saktësisht se cilat ndeshje janë sepse ne ndjekim mijëra ndeshje dhe duhet të kontrollojmë se çfarë saktësisht kemi për atë ndeshje që është objekt i interesit tuaj. Por duhet të dini gjithashtu se ne jemi partnerë me FIFA-n dhe UEFA-n dhe monitorojmë ligat e para dhe të dyta të federatave që janë anëtare të këtyre organizatave. Kjo do të thotë edhe ligat maqedonase. Dhe nëse identifikojmë diçka të dyshimtë, ne informojmë ekskluzivisht UEFA-n për këtë”, tha Andreas Kranich, Zëvendës President ekzekutiv për integritetin, mbrojtjen e të drejtave dhe të ardhurave në Sportradar.

Nga shërbimi për media të UEFA-s, thonë se në këtë fazë të procedurës nuk kanë asnjë informacion që mund t’i ndajnë me publikun.

“Ju lutemi, vini re se në përputhje me praktikën e saj të gjatë, UEFA përmbahet nga komentimi i hetimeve apo edhe ekzistencës së hetimeve të mundshme për trukime ndeshjesh të supozuara për të mos kompromentuar proceset hetimore”, u tha në reagimin e UEFA-s.

Pavarësisht përpjekjeve për të marrë përgjigje për këtë temë, MPB-ja është në heshtje. Për momentin për rastin e dyshuar të trukimit të ndeshjeve përgjegjëse është Prokuroria e Lartë Publike në Shkup, konfirmojnë nga Prokuroria e Shtetit, sipas informacioneve përkundër faktit se bëhet fjalë për klube që nuk janë vetëm nga Shkupi, zakonisht organi kompetent për krime të tilla është Prokuroria që ndjek e krimin të organizuar dhe korrupsionin.

Jozyrtarisht janë duke u hetuar pesë klube nga kampionati vendas dhe dy nga liga e dytë. Informacioni i fundit i publikuar publikisht për një ndeshje të dyshimtë ishte ai i gushtit 2023, për ndeshjen ndërmjet Gjorçe Petrovit maqedonas dhe RFS nga Letonia që luajtën në kuadër të Ligës së Konferencës. Më pas mediat e huaja bënë të ditur se UEFA është duke e hetuar ndeshjen që klubi maqedonas e humbi 4:1, por për këtë nuk ka asnjë konfirmim zyrtar as nga FFM-ja.

Rrezik për kampionatin vendas?

Sindikata e futbollit kërkon t’u japë fund dyshimeve sa më shpejt pasi thonë se ky hetim ka kohë që ka nisur dhe është nisur nga UEFA dhe FIFA përmes Interpolit.

Kryetari i sindikatës Pançe Qumbev thotë se ka dyshime të arsyeshme, por për çdo gjë duhen të posedohet prova. Si shembull, ai tregon Spanjën, ku aktualisht ka një hetim dhe ka mundësi që Spanja të skualifikohet nga kampionati europian. Kjo ngre pyetjen e kampionatit vendas.

“Nëse ata mund t’ia bëjnë këtë Spanjës, mund ta imagjinoni se çfarë mund të na bëjë neve. Shpresoj t’i zgjidhin gjërat, sepse duhet të ketë ndryshime në federatën tonë, liga jonë është më e dobëta në Evropë. Çdo pandershmëri duhet të ndalet dhe kush e ka bërë atë të ndëshkohet në një mënyrë që do të pezullohet përgjithmonë. Fatkeqësisht, nëse futbolli nuk pastrohet nga krimi dhe shantazhi, ne për fat të keq nuk do të kemi futboll”, tha Qumbev.

Si një ish-lojtar i kombëtares dhe futbollist që ka luajtur në disa klube polake, përfshirë Legian, ai shpjegon se si ndjehen lojtarët.

“Unë kam qenë edhe futbollist dhe mund ta imagjinoj dhe di se si ndihet një futbollist që duhet të luajë në një ndeshje të tillë. Është një fatkeqësi, nga njëra anë njerëzore, nga ana tjetër sportive. Duhet të improvizosh që dikush tjetër të shënojë ose duhet të kryesh një faull për një karton të kuq. Ne jemi për futboll të pastër, lojtarët të jenë të sinqertë dhe nëse ka lojtarë të përfshirë, atëherë edhe ata duhet të ndëshkohen”, shtoi Qumbev.

Sipas gazetarit dhe kolumnistit sportiv, Milorad Stojmanovski, FIFA dhe UEFA zakonisht “u tregojnë muskuj” federatave gjithnjë e më të vogla, në mënyrë që edhe ato të tregojnë ndonjë rezultat në luftën kundër korrupsionit në futboll. Ai thotë se mund të mos jetë rastësi që kjo aferë në lidhje me FFM-në po del pikërisht tani, por që mund të ndikojë shumë në kampionatin vendas.

“Si shtet u angazhuat për të marrë pjesë në këtë luftë kundër korrupsionit, por nuk pati rezultate konkrete brenda, përveç nëse gaboj, ka pasur një vendim ndaj një futbollisti të “Sileksit”-it për trukim ndeshjesh dhe ky ishte një gjobë simbolike. Rasti aktual mund të rezultojë me gjoba për disa klube të cilat do të preknin kampionatin vendas të futbollit, pasi përmenden një sërë klubesh. Gjithçka varet nga sa ka shkuar manipulimi, sa para janë kapur në lojë dhe sa persona janë përfshirë”, tha Stojmanovski.

Zyrtarë të futbollit nga Maqedonia e Veriut të përfshirë në skandale jashtë vendit

Prej më shumë se një muaji emri i Dragan Siljanovskit gjendet në faqen e FFM-së si drejtor i Kombëtares së të rinjve deri në 21 vjeç. Në biografinë e tij shkruhet se është me origjinë nga Kërçova, ka pasur një karrierë shumë vjeçare futbollistike në K.F. Napredok, K.F. Pobeda,K.F. Sloga Jugomagnat dhe K.F. Shkëndija, ndërsa si lojtar ndërkombëtar karrierën e ka kaluar në K.F. Antwerpen belg.

Në deklaratën e parë të dhënë për mediat maqedonase, ai thotë se ka qenë gjithmonë i përkushtuar për të forcuar marrëdhëniet mes të gjithëve në ekip dhe për një rezultat të mirë.

“Shpresoj që me përvojën time të sjell energji të re dinamike në kombëtaren U21”, tha Siljanovski.

Por nëse kontrolloni emrin e tij në internet, mund të gjeni shumë artikuj për përfshirjen e tij në të ashtuquajturin operacionin “Duart e pastra” të policisë dhe prokurorisë belge që prej vitit 2018. Më pas, për trukime të mundshme të ndeshjeve, pastrim parash dhe pagesa të fshehura në transfertat e futbollit, pati hetime dhe bastisje në 7 vende, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ndërkaq Siljanovski ishte i lidhur me menaxherin nga Serbia, Dejan Veljkoviq. Sipas mediave, ai u lirua me kusht dhe garanci.

REL-i ka dërguar pyetje FFM-së edhe për këtë temë, por nuk kenë marrë asnjë përgjigje deri në publikimin e tekstit.

Një tjetër skandal që daton në vitin 2012 është ai që lidhet me emrin e Hristijan Ilievskit i cili akuzohej për trukim të ndeshjeve në Ligën e Kalços italiane. Pas tre vitesh fshehje nga autoritetet lokale, ai u dorëzua vetë.

Ai mori një dënim me burg me kusht pasi dëshmoi në gjyq për atë që ndodhi. Në të njëjtin megaskandal që tronditi Ligën e Kalços, u akuzua edhe Rade Trajkovski Stekli i cili u ekstradua nga Athina në Itali për të dëshmuar në procesin gjyqësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *