“Pas zgjedhjeve”, vonohet nisma për ndryshimin e emrave të shkollave dhe rrugëve në Tetovë

Edhe pse kanë kaluar më tepër se një vjet e gjysmë që nga fillimi i nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga ana e Komunës së Tetovës në bashkëpunim me Shoqatën Akademike të Shqiptarëve për Art dhe Shkencë (ShAShASh), ky proces po zvarritet. Për të pasur rezultate konkrete, kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës thotë se duhet të pritet të paktën deri pas zgjedhjeve.

Kreu i Këshillit Komunal, Besar Durmishi theksoi se kanë marrë propozime nga shoqata të ndryshme për emra të shkollave, rrugëve dhe bulevardeve dhe se kanë bërë kërkesë te të gjithë partitë politike të përfshihen në këtë proces që emrat e rinj që do vendosen t’i takojnë të gjithë grupeve, etnive dhe qytetarëve që janë në Tetovë.

“Fatkeqësisht ende nuk janë të gjithë të përfshira të gjithë etnitë, kështu që do të shohim në konsultim me shoqatën e cila ka sjellë propozimet do bëjmë debat publik. Do e shohim kohën se kur do e gjejmë të arsyeshme, me siguri do ngelë pas zgjedhjeve, pasi para zgjedhjeve do merret se ka tentativë për të bërë fushatë dhe do shohim kohën ku do jetë e arsyeshme pas zgjedhjeve do e bëjmë debatin publik dhe pastaj do duhet ta vendosim në Këshill që të miratohen, të marrin dritë të gjelbër për tu bërë ndryshimet”, tha Durmishi i cili u shpreh optimist se këto ndryshime do të bëhen këtë vit.

Nisma e filluar parasheh ndryshimin e emrave të rrugëve dhe të institucioneve të mësipërme me qëllim për të pasqyruar realitetin etnik dhe kulturor të Tetovës dhe fshatrat e komunës.

Siç patën theksuar nga ShAShASh, nuk synohet të eliminohen emrat maqedonas por realiteti etnik të pasqyrohet ashtu siç është dhe se nuk do të jetë në dëm të asnjë partie politike.

Që të miratohen emrat e ri në Këshillin e Komunës, duhet të respektohet parimi i “Badenterit” me të cilin duhet të votojë shumica e pakicës, në këtë rast këshilltarët e VMRO–DPMNE-së të cilit janë pjesë e shumicës në Këshillin Komunal. Por të njëjtit deri më tani kanë deklaruar se nuk do përkrahin diçka të tillë.

Kryetari i Komunës së Tetovës, gushtin e vitit 2022 deklaroi se “nismës do i shkojnë deri në fund” dhe se parashihnin që brenda atij viti të përmbyllej ky proces. Mirëpo, kjo deri tani nuk është bërë.

Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë përfunduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *