Micotakis paralajmëron Shkupin për Marrëveshjen e Prespës

Dëshiroj edhe këtu, disa kilometra nga kufiri ynë, t’i dërgoj porosi Shkupit dhe qeverisë së re: në rast se insistojnë ta kontestojnë bërthamën e marrëveshjes lidhur me emrin e shtetit dhe ta quajnë ashtu siç dëshirojnë ta quajnë, atëherë do të duhet ta dijnë se rruga evropiane do të mbetet e mbyllur, tha kryeministri grek Kirjakos Micotakis gjatë fjalimit të tij të sotëm në Follorinë, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Micotakis theksoi se “këtë nuk e thotë me gëzim”, sepse, siç tha, jemi fqinj dhe Greqia dëshiron që të kemi marrëdhënie të mira.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk duan as tensione, as nacionalizëm. Uroj dhe shpresoj që ata të vijnë në vete dhe të kthehen në rrugën e duhur”, tha Micotakis.

Greqia është në periudhë parazgjedhore në prag të zgjedhjeve evropiane më 9 qershor, ndërsa Micotakis pasdite mbajti tubim parazgjedhor në Follorinë në kuadër të vizitës së sotme në pjesën veriperëndimore të vendit.

Edhe këtë herë, mes tjerash, në fjalimin para qytetarëve foli edhe për marrëdhëniet me vendin tonë dhe për Marrëveshjen e Prespës.

“Sot jam këtu në Follorinë, në kufirin e vendit tonë dhe më duhet t’ju them se jam shumë i pakënaqur me faktin që fqinjët tanë veriorë kanë zgjedhur në këto rrethana të kthehen në kohë dhe të kontestojnë emrin e vendit të tyre, për të cilin u morëm vesh përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare ndërshtetërore”, tha Micotakis.

Përkujtoi se Demokracia e Re ishte kundër Marrëveshjes së Prespës, por siç theksoi, atëherë me sinqeritet absolut ka thënë se nuk mund të ndryshohet, të griset ose të ndryshohet me një ligj dhe nen, sepse është marrëveshje ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *