Kërkohet disperzimi i institucioneve në komunat rurale

Sipas kryetarit të komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu, ka një kohë të gjatë që kjo zyrë është mbyllur për arsye politike, ndërsa krahas rihapjes së saj, ai kërkon që edhe decentralizim të disa institucioneve tjera në komuna rurale
Urim HASIPI
Tetovë, 9 qershor – Pjesa më e madhe e institucioneve vazhdojnë të jenë të centralizuara. Qytetarët për të nxjerrë një dokument të thjeshtë, por edhe dokumente personale, në shumë raste edhe për një vërtetim të thjeshtë të ndonjë institucioni duhet që të udhëtojnë më shumë se 20 kilometra që të vijnë në Tetovë. Kjo atyre u shkakton shumë probleme si në humbje të kohës, por edhe duke shpenzuar para. Deri më tani, vetëm në territorin e komunës së Tearcës ekziston një njësi e disperzuar për nxjerrjen e dokumenteve personale, respektivisht nga aplikimi e deri tek fotografimi për pasaportë dhe letërnjoftim. Shërbime tjera që janë të disperzuara është edhe një zyrë në komunën e Jegunocit e Agjencisë për Punlsim dhe çështjeve sociale.
Në komunën e Zhelinës edhe pse më herët kishte një zyrë të Agjencisë për Punësim, megjithatë e njëjta është mbyllur. Sipas kryetarit të komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu, ka një kohë të gjatë që kjo zyrë është mbyllur për arsye politike, ndërsa krahas rihapjes së saj, ai kërkon që edhe decentralizim të disa institucioneve tjera në komuna rurale. Shpreson që kërkesa e tij, me ndryshimin e garniturës qeverisëse në vend të aprovohet.
“Shpresoj që edhe kërkesat tjera që i kemi pasur, sa i përket disperzimit të drejtorive për nxjerrjen e dokumenteve personale si pasaporta, leje për vozitje, letërnjoftime e kështu me radhë. Kemi biseduar me kryetarin (Kasami) që edhe në Zhelinë të ketë zyrë ku qytetarët do të mund të nxjerrin dokumentet personale dhe jo vetëm, por edhe shërbimet tjera që janë në nivel qendror që duhet ti kemi dhe nuk i kemi. Ju e dini se kishim një zyra të Agjencisë për Punësim në komunën e Zhelinës kur ne ishim në qeveri në atë kohë, dhe sapo ne lëshuam qeverinë, erdh BDI dhe e mbylli atë zyrë pa asnjë arsye”, deklaroi Blerim Sejdiu, kryetar i komunës së Zhelinës.
Premtime për decentralizim të disa drejtorive dhe agjencive ka pasur në vazhdimësi, por deri më tash nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret. Shpesh herë disperzimi i institucioneve është përdorur edhe për efekt elektoral ndërsa kur qytetarët drejtohen për shërbime atje u thonë se duhet që të shkojnë në Tetovë të marrin një dokument tjetër dhe pastaj mund të kryejnë punë në atë zyrë. Numëro këtu edhe arsyetimet e shpeshta se nuk punon sistemi, pothuajse edhe ato pak shërbime në komunat rurale nuk mund të kryhen. Për momentin, qytetarët e komunave rurale edhe për shërbime më të vogla janë të detyruar që të udhëtojnë deri në Tetovë. Bëhet fjalë për Agjencinë për Kadastër, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Gjykata, Policia, Fondi Shëndetësor dhe Invalidor, Qendra për Punë Sociale, Agjencia për Punësim, Drejtoria e Ministrisë së Bujqësisë, drejtoritë e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave, inspektorati Mjedisit Jetësor dhe një sërë drejtori tjera, të cilët vazhdojnë të japin shërbime vetëm në Tetovë. Kësisoj, një banor nga komuna e Bogovinës, apo edhe e Jegunocit duhet që për të nxjerrë një dokument të udhëtojë rreth 20 kilometra deri në Tetovë. Shpesh herë, këta qytetarë edhe nuk mund të kryejnë punë në kohë, për shkak edhe të radhëve të gjata para sporteleve të këtyre institucioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *