Karta europiane rinore në RMV është një iluzion, sistemi i pazhvilluar

Premtimet – e parealizuara, durimi i të rinjve – në provë, zbritjet – të refuzuara. Në korridoret e garancive dhe premtimeve burokratike për ndihmë financiare për të rinjtë, e aq shumë paralajmëruara Karta Evropiane e Rinisë, sot në vendin tonë më shumë është një simbol i frustrimit sesa i përforcimit të standardit rinor. Një përqindje çuditërisht e lartë e të rinjve as që e dinë se ekziston një kartë e tillë, ashtu si shumica e bizneseve ku supozohet se ofrohen privilegje. Lëshimi i kartave digjitale zgjat me muaj, por edhe pas marrjes së tyre, të rinjtë janë mjaft të kufizuar për atë se ku mund t’i përdorin ato në territorin e Maqedonisë së Veriut.Në një kohë kur barra financiare po rëndon rëndë mbi supet e të rinjve, njoftimet për një kartë të specializuar të cilën e ofron një institucion shtetëror dhe e cila supozohet se ofron zbritje të ndryshme, ngjall një shpresë për lehtësim financiar. Por çfarë ndodh kur premtimet joshëse në letër ose në mediat sociale nuk realizohen në realitet? Zbritjet që i ofron Karta Evropiane për Rininë në Maqedoni më shumë i ngjajnë “mirazhit” sesa përfitimit të vërtetë.

Çfarë është Karta Evropiane e Rinisë?
Në vendin tonë Karta Evropiane e Rinisë ka ekzistuar edhe më herët, e me një kërkim të vogël në internet mund të konstatohet se ka qenë aktuale edhe në vitet 2013-2014. Bëhet fjalë për një kartë të dedikuar për të rinjtë nga më shumë se 30 vende të Evropës, e me të cilën u mundësohen dhjetëra mijëra zbritje për shërbime, produkte, udhëtime, kulturë, akomodim dhe arsimim në gjithsej 36 vende evropiane.

Në vende të ndryshme Karta ka emra të ndryshëm. Në Maqedoni mban emrin “Karta Evropiane e Rinisë”. Karta lëshohet dhe menaxhohet nga organizata dhe institucione që janë anëtare të Shoqatës Evropiane për Kartat Rinore. Në vendin tonë kjo është Agjencia për Rini dhe Sport (ARS).

Përveç Agjencisë, e cila e zbaton atë, bartëse e projektit në vendin tonë është Agjencia Kombëtare e Programeve Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërisë. Këtë lloj karte në vendin tonë mund ta marrin falas të gjithë personat në moshë nga 15 deri në 29 vjet, pa pasur nevojë të plotësojnë asnjë kusht shtesë. Kartat janë të unifikuara, kështu që me kartën e rinisë që e posedojnë të rinjtë shtetas të Maqedonisë, përveç në vendin tonë mund të shfrytëzojnë beneficione dhe shërbime që ofrohen në të gjitha 35 vendet e tjera evropiane.

Aplikimi për kartën bëhet online në ueb-faqen mladinskakarticka.mk. Karta vlen 2 vjet, me mundësi rinovimi për aq kohë sa përdoruesi i saj është brenda kufirit të lejuar të moshës.

“Karta të rinjve u jep mundësi të udhëtojnë, të njohin njerëz të rinj dhe të bëjnë miq të rinj në të gjithë Evropën. Gjithashtu, nëpërmjet kartës të rinjtë mund të edukohen, të mësojnë gjëra të reja dhe ta fillojnë karrierën e tyre, të bëjnë një ndryshim real në komunitet, të jenë qytetarë të mirëinformuar dhe aktivë që e formësojnë shoqërinë“, thonë nga Agjencia për Rini dhe Sport për këtë projekt.

Lëshimi i kartave në RMV prej muajsh është “pending”
Për këtë kartë për herë të parë kemi aplikuar më 23 janar 2024. Aplikimi është i shpejtë dhe i lehtë – plotësohen të dhënat themelore dhe bashkëngjitet një foto, pas së cilës vjen një mesazh në e-mail si konfirmim.

Por ne nuk mund t’i shfrytëzojmë zbritjet dhe përfitimet, sepse deri më sot – pas më shumë se një muaji pas aplikimit, ne ende nuk e kemi marrë kartën. Se sa do të duhet të presim nuk dihet, ndërsa përvoja e të rinjve që e kanë marrë kartën ose që njësoj si ne janë në pritje, është mjaft zhgënjyese.

E përderisa ata që kanë aplikuar kohë më parë për Meta.mk thonë se kartat i kanë marrë për dy deri në tre javë, ndërsa ata aplikacionet e të cilëve po shqyrtohen aktualisht kartat për zbritje i presin me muaj, e disa edhe më shumë se një vit.

Nga Agjencia për Rini dhe Sport në nëntor të vitit të kaluar njoftuan se Karta Evropiane e Rinisë është digjitalizuar dhe është e disponueshme vetëm online.

Edhe pse thelbi i digjitalizimit është që proceset të bëhen më të lehta dhe më të shpejta, në këtë rast me Kartën Evropiane të Rinisë Maqedonase me sa duket po ndodh e kundërta – pas digjitalizimit të procesit lëshimi i kartës po vonon.

Nga Agjencia për Rini dhe Sport për Meta.mk thonë se gjatë kësaj periudhe të gjithë të rinjve që kanë marrë një kartë të tillë që nga prezantimi i saj në vend, tani ju dërgohet një email me udhëzime se si ta digjitalizojnë atë.

Deri në këtë moment Agjencia ka lëshuar mbi 7.000 kartela, ndërsa për momentin po shqyrtohen rreth 500 aplikime. Agjencia njofton se pas përfundimit të digjitalizimit të të gjitha kartave fizike, nuk do të nevojiten “më shumë se 72 orë” për ta marrë kartën elektronike të rinisë.

Të rinjtë dhe bizneset që “ofrojnë zbritje” për herë të parë po dëgjojnë për kartën e rinisë
Vetëm 5 përqind e të rinjve në Maqedoni kanë Kartë Evropiane të Rinisë, tregoi anketa e Meta.mk në Instagram. 95 përqind të tjerët nga gjithsej 5.239 persona që iu përgjigjën anketës thanë se nuk kanë një kartë të tillë.

Rreth 71 përqind e të rinjve kanë thënë edhe se për herë të parë po dëgjojnë për ekzistencën e Kartës Evropiane të Rinisë. Një e pesta e atyre që janë përgjigjur (20 përqind) kanë dëgjuar për kartën, por nuk e dinë se çfarë është, ndërsa vetëm 9 përqind janë përgjigjur se e dinë se çfarë paraqet ky projekt.

Përderisa po hulumtonim se ku ofron përfitime kjo kartë në vendin tonë, hasëm në reagime të ndryshme nga punonjësit, madje edhe pronarët e bizneseve, të cilët janë shënuar si vende që ofrojnë zbritje me Kartën Evropiane të Rinisë.

Në fakt, shumica e zbritjeve të prezantuara përmes kartës të rinisë janë rreth 10 përqind. Edhe pse qëllimi i kartës, ndër të tjera, është që t’u ofrojë të rinjve mundësi për arsimim, për fitimin e aftësive dhe për angazhim në komunitet, në Maqedoni karta kryesisht mundëson zbritje në objektet e hotelierisë, butiqet dhe dyqanet.

Një fakt tjetër që e vërtetuam ne është se shumica e kompanive që ofrojnë zbritje përmes Kartës Evropiane të Rinisë gjenden në Shkup, ndërsa shumë pak prej tyre ndodhen në qytete të tjera. Por edhe aty ku ka zbritje, ato nuk janë të realizueshme. Meta.mk kontaktoi me 21 kompani që janë të listuara si biznese që ofrojnë zbritje me kartën e rinisë. Rezultati është befasues: nga 21 kompani, vetëm 4 thanë se e pranojnë Kartën Evropiane të Rinisë.

Përvoja të këqija në anketën e Meta.mk ndanë edhe të rinjtë. Një pjesë e madhe e atyre që posedojnë kartën e rinisë thonë se deri më tani nuk kanë shfrytëzuar asnjë zbritje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *