Fabrika për makinat elektrike, vetëm në letër

Po bëhen tashmë afër dy vite që kur Qeveria e vendit këtu në zonën ekonomike, në gusht të vitit 2022, në mënyrë pompoze paralajmëroi ndërtimin e një fabrike për prodhimin e makinave elektrike, ku sipas Qeveritarëve, do të punësoheshin nga tre deri në katër mijë persona. Fabrika duhej të përfundoj në vitin 2024 por siç e shihni pas meje, ky projekt ka mbetur vetëm në letër, ndërkohë që në realizim, është ende larg hapjes së saj.

Vit më parë nga Drejtori i Zonës Industriale Teknologjike Zhvillimore, Jovan Despotoski, vonesën e punimeve për ndërtimin e fabrikës për makina elektrike E-Go, e arsyetoi me problemet me tokën ndërtimore. Megjithatë ai pati paralajmëruar se zgjidhja është gjetur dhe se punimet do fillojnë dhe mbarojnë në kohën e paraparë. Ndërkohë sot, Despotovski deklaroi krejtësisht diçka tjetër. Ai fajin e hedh te procedurat midis kompanisë dhe Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Ndërkohë Despotovski gjithashtu pranon se ndihma e paralajmëruar nga Qeveria nuk është paguar akoma për shkak të mosnisjes së punimeve.

“Ka disa arsye. Ajo që mund ta them është se Qeveria që në verë mori pëlqim për marrjen e tokës në Zonën Ekonomike në Tetovë, kështu që, kjo pjesë ka përfunduar, dhe investitori zgjodhi konsorciumin e firmave që do ndërtonin objektin, por, megjithatë, ende pritet përfundimi i procedurës që ka filluar diku para gjashtë muajsh tashmë, në lidhje me veprimin e Komisionit për Mbrojtje të Konkurrencës konkretisht për dhënien e pëlqimit për marrëveshjen, megjithatë kjo për fat të keq ende nuk është siguruar edhe pse kemi insistuar disa herë që të përshpejtohet procedura, megjithatë për fat të keq kemi një institucion të shtetit që nuk merr veprim në kohë dhe shkakton vonesë të punëve ndërtimore”, tha Jovan Despotoski Drejtor i Zonës Industriale Teknologjike Zhvillimor..

Ndërkohë burimet tona në kompaninë Ekolog, bëjnë të ditur se problemi nuk qëndron te ata, pasi me kohë janë marrë masat për nisjen e punës. Për këtë projekt u paralajmërua investim prej rreth 130 milion euro, prej të cilave 45 milionë ndihmë nga Qeveria. Drejtuesit e BDI-së gjatë përurimit të hapjes së fabrikës patën premtuar mijëra punësime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *